Avokati, Arianit Koci ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për, siç pretendon ai, moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26, që lidhen me procedurën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Koci ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar që procedura për zgjedhjen e presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Sipas tij, procesi i votimit ka vazhduar edhe pas mesnatës.
“Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26. Gjykata kishte përcaktuar qartë se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Sipas të dhënave publike, votimi ka vazhduar edhe pas mesnatës”, ka thënë Koci.
Ai është shprehur se në nenin 226 të aktgjykimit është përcaktuar edhe pasoja juridike në rast të mosrespektimit të afatit, duke iu referuar shpërndarjes së Kuvendit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme. Pa zbatimin e tyre, nuk ka shtet e shoqëri”, ka deklaruar Koci.
























