Një kolumnist i njohur izraelit ka paralajmëruar se Izraeli mund të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht nëse kryeministri Benjamin Netanyahu mbetet në pushtet, duke theksuar se pasojat së shpejti mund të prekin financat, bankat dhe udhëtimet ajrore të izraelitëve, ndërsa shtohen thirrjet për bojkot, transmeton Anadolu.
Duke shkruar në Yedioth Ahronoth, Nahum Barnea tha se qeveritë evropiane po i mbajnë sanksionet në rezervë deri pas zgjedhjeve në Izrael, të planifikuara për 27 tetor.
Ai sugjeroi se masat që lidhen me vendbanimet në Bregun Perëndimor të pushtuar mund të shtrihen edhe në biznese, viza, sport, kulturë dhe kërkime shkencore, mes presionit në rritje në Evropë për izolimin e Izraelit.
Barnea tha se presioni publik në Evropë për bojkotimin e Izraelit po rritet.
“Problemi ynë, për fat të keq, është me vendet demokratike. Me diktaturat, për momentin, po shkojmë mjaft mirë. Impulsi për bojkot është përhapur në sport, kulturë dhe akademi”, tha ai.
Ai tha se Federata Irlandeze e Futbollit i kishte bërë thirrje UEFA-s të pezullojë anëtarësimin e Izraelit, ndërsa transmetues irlandezë dhe të tjerë evropianë kishin ndërmarrë hapa për të bojkotuar Eurovizionin për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Barnea paralajmëroi gjithashtu se presioni mund të shtrihet edhe në programet ndërkombëtare në të cilat Izraeli vazhdon të marrë pjesë, përfshirë programin kërkimor të BE-së Horizon Europe.
Duke iu referuar udhëtimeve, ai përmendi anulimin e një fluturimi nga Izraeli drejt Mauritiusit, pasi autoritetet e Mauritiusit i mohuan një avioni të Air Seychelles lejen për t’u ulur.
“Prej aty, mundësitë shumëfishohen, kompanive ajrore u mohohet furnizimi me karburant, anulohen fluturimet nga Tel Avivi, pengohen dërgesat e armëve të ngarkohen ose shkarkohen”, shkroi ai.
Ai shtoi se vendimet e një sindikate punëtorësh, kontrollorëve të trafikut ajror, punonjësve që merren me bagazhet ose stafit të sigurisë mund të mjaftojnë për të ndërprerë transportin.
“Sipas mendimit tim, ajo që fillon në Evropë nuk do të mbetet domosdoshmërisht atje”, tha Barnea.
Ai paralajmëroi gjithashtu për pasojat e një fitoreje të Netanyahut.
“Nëse ai arrin të formojë qeverinë e ardhshme, vetëm ky fakt mund të jetë i mjaftueshëm për shumë prej kundërshtarëve të Izraelit jashtë vendit”, shkroi Barnea.
Netanyahu, shtoi ai, “nuk është më thjesht një politikan që shfaqet në lajme, ai është një simbol dhe një markë globale”.
Thirrjet ndërkombëtare për bojkotimin e Izraelit janë shtuar për shkak të luftës së tij në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023 dhe politikave të tij të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.


























