Sytë janë drejtuar tashmë nga Haga. Të mërkurën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, pritet të shpallet verdikti i shkallës së parë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Pas një procesi gjyqësor disavjeçar, vendimi i trupit gjykues pritet me interesim të madh, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Hagë dhe më gjerë.
Nga Qeveria e Kosovës është konfirmuar se të pranishëm në Hagë ku do ta përcjellin seancën pritet të jenë zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca dhe Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka. Mësohet se Konjufca e Hoti pritet të jenë të pranishëm në galerinë e Dhomave të Specializuara prej ku do të përcjellin shpalljen e verdiktit.
Ndërkohë, në Hagë tashmë kanë mbërritur familjarë të të akuzuarve, por edhe qytetarë të shumtë nga Kosova dhe diaspora. Ata pritet të marrin pjesë nesër në tubimin e paralajmëruar në Hagë dhe në ditën kur do të shpallet vendimi.
Interesimi për këtë proces është i lartë edhe në mesin e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar. Një numër i konsiderueshëm diplomatësh pritet ta ndjekin nga afër seancën e së mërkurës.
I madh është edhe interesimi i mediave. Gazetarë dhe ekipe televizive nga Kosova dhe jashtë saj kanë mbërritur në Hagë për ta përcjellë drejtpërdrejt momentin e shpalljes së verdiktit.
Kështu, vëmendja tashmë është përqendruar në Hagë, ku të mërkurën pritet të shkruhet një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.


























