Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratave të ministres serbe, lidhur me spastrimin etnik të Kosovës, transmeton KosovaPost.
“Një ministre e Qeverisë së Serbisë ka bërë thirrje publikisht për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Një retorikë e tillë lavdëron krimet e luftës, rrezikon stabilitetin rajonal dhe është tërësisht e papajtueshme me vlerat evropiane dhe me të ardhmen evropiane. Heshtja nuk është një opsion. As reagimet e dobëta. Nivelet më të larta të udhëheqjes së Bashkimit Evropian duhet të reagojnë me një dënim të qartë publik, t’ia kujtojnë Serbisë detyrimet e saj dhe të sigurojnë që një sjellje e tillë të ketë pasoja në procesin e saj të anëtarësimit. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, një shoqërie shumetnike, pajtimit të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe të ardhmes evropiane. Edhe Serbia duhet ta zgjedhë këtë rrugë”, ka shkruar ai në X.


























