Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka diskutuar me përfaqësues të institucioneve gjermane dhe CNVP Kosovë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së natyrës, përcjell KosovaPost.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Fitore Pacolli, e cila ka njoftuar se në takim është diskutuar për mbrojtjen e biodiversitetit, menaxhimin e parqeve kombëtare dhe ruajtjen e pyjeve.
Sipas Pacollit, palët janë dakorduar që të vazhdojnë procedurat për hartimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Landit të Saksonisë së Poshtme në Gjermani.
Po ashtu, është diskutuar për bashkëpunimin në rishikimin e Ligjit për Parqet Kombëtare, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën gjermane.
Pacolli ka theksuar se bashkëpunime të tilla ndihmojnë në avancimin e mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pasurive natyrore të Kosovës.


























