Një çështje që këto ditë ka marrë vëmendjen është një ‘lëshim’ që Gjykata Speciale ka bërë për Kosovën.
Një nga zyrtarët e Speciales gjatë intervistimit i është referuar Kosovës: ‘Kosova dhe Metohija’.
Natyrisht që kjo çështje ngjalli reagime të mëdha duke sjellur kështu edhe një reagim të Speciales.
Në përgjigje, Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte pranuar se përdorimi i terminologjisë “Kosova dhe Metohija’ ishte përdorur gabim gjatë intervistimit dhe se kanë thënë se kjo terminologji nuk është pjesë e praktikës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar gjithashtu konfirmoi se termi “Kosovo dhe Metohija” ishte përdorur në intervistën me ankuesin dhe pranoi se kjo ishte bërë gabimisht. 17. ZPS-ja deklaroi se ky term nuk është pjesë e praktikës standarde të ZPS-së, duke përfshirë në çdo shabllon ose dokument proformë në përdorim nga SPO-ja.”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Ai thotë se përderisa Specialja ka pranuar gabimin atëhere nuk ka vend për diskutim.
Mirëpo sipas avokatit nëse e njejta përsëritet atëhere Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa administrative.
Gjithashtu shton që është shtrembëruar historia e gjithë popullit të Kosovës.
“Përderisa e kanë pranuar gabimin, nuk kemi pse të merremi me këtë çështje.
Por nëse përsëritet, duhet që qeveria e Kosovës të marrë masa administrative, sepse kjo është fyerje në sensin kushtetues dhe politik.
Është shtrembëruar historia reale e shtetit të Kosovës, dhe dinjiteti historik i gjithë popullit të Kosovës”, u shpreh avokati Ngjela për “Bota sot”.
Theksojmë që në Zyrën e Ombudspersonit të Gjykatës Speciale të Kosovës në vitin 2023 është deponuar një ankesë nga Sefer Goxhuli [Emri i është bërë publik nga vetë Gjykata Speciale], për shkak se një nga zyrtarët e Prokurorisë Speciale ndërkohë që po e intervistonte, duke e lexuar një dokument i është referuar Republikës së Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija”.
Ankuesi në shkresën e tij ka thënë se përdorimi i këtij termi për t’iu referuar Republikës së Kosovës ishte thellësisht fyes pasi që është termi i përdorur nga Serbia kur i referohet Republikës së Kosovës në mënyrë poshtëruese.

























