Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut synojnë të forcojnë bashkëpunimin për mbrojtjen dhe zhvillimin e Parkut të Sharrit, përcjell KosovaPost.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se gjatë Konferencës Ministeriale për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, në Mal të Zi, ka zhvilluar takim me homologët e saj nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në fokus të takimit ishte ideja për zhvillimin e Parkut të Sharrit si një park i mirëfilltë ndërkufitar, që do të lidhte më ngushtë tri vendet.
Qëllimi është që mbrojtja e natyrës të shkojë bashkë me zhvillimin ekonomik të zonave lokale, përmes agroturizmit, turizmit të qëndrueshëm dhe promovimit të vlerave natyrore të Sharrit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ajo ka bërë të ditur se janë dakorduar me ministrat Jaupaj dhe Hoxha për një vizitë në Kosovë, ku do ta vazhdojnë këtë diskutim dhe do t’i japin formë konkrete kësaj nisme.


























