Krerët e institucioneve të larta në Kosovë kanë uruar dy shtetet fqinje, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), transmeton KosovaPost.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet rrjeteve sociale uroi dy shtetet fqinje “për një hap më afër BE-së”.
“Në këtë kohë përcaktuese, përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri!”, shkroi presidentja Osmani.
Ajo gjithashtu u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të dorëzojnë urgjentisht vendimin e vonuar për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët kosovarë.
Fillimin e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e ka përshëndetur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti tha se Kosova bashkohet me të dyja vendet në angazhimin drejt reformave.
“Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, shkroi Kurti.
Në Bruksel sot u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që shënon hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Delegacioni shqiptar kryesohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa ai maqedonas nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014, ndërsa Maqedonia e Veriut që nga viti 2005.