Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës Gjeneral Jorg Ruter, drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NATO Advisory and Liaison Team – NALT), përcjell KosovaPost.
Ai shprehu mirënjohjen për punën dhe rolin e rëndësishëm të Ruter gjatë gjithë mandatit të tij, për t’i mundësuar NATO-s të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të organizatave të sigurisë në Kosovë.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se kryeministri i uroi mirëseardhje Gjeneralit Joachim Hoppe, i cili do të pasojë Gjeneralin Ruter në pozitën e Drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s.
“Kryeministri Kurti njoftoi ushtarakët e NATO-s për të arriturat gjatë një viti të qeverisjes. Progresi i vendit, porsi të drejtat e qytetarëve, duhen mbrojtur e ruajtur. Kryeministri Kurti dhe Gjenerali Rüter u pajtuan që paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë dhe siguria për të gjithë janë të domosdoshme”.
“Në këtë takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për çfarë drejtuesit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s siguruan mbështetjen e vazhdueshme brenda mandatit të NALT-it për ndërtimin e kapaciteteve të FSK-së”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.