Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e Investimeve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Khalid Al Falih, i cili qëndroi në vizitë njëditore zyrtare në Kosovë, i shoqëruar nga ambasadori Faisal Ghazi Hifzi dhe përfaqësuesi i Fondit Saudit për Zhvillim, Sulltan AlMarshad, njofton Kosova Post.
Në takim, përkrah kryeministrit Kurti ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Lulzim Mjeku.
Bëhet e ditur se me ministrin kryeministri Kurti foli për punën e Qeverisë dhe reformat e ndërmarra deri tani dhe planet për të ardhmen dhe falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjet që i ka dhënë Kosovës përgjatë viteve si në raportin bilateral ashtu edhe në forume multilaterale.
“Theks të veçantë patën temat e energjisë së ripërtëritshme, infrastrukturës dhe turizmit, dhe mundësitë që Kosova ofron për bizneset e huaja në këto sektore”, thuhet në kumtesë për media.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Kosova Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.


























