PRISHTINË | KOSOVA POST – Dhoma e Tregtisë Kosovë-Turqi (KTTO) është takuar me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një takim konsultativ ku në fokus ishin sfidat administrative me të cilat përballen investitorët e huaj dhe kompanitë që operojnë në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutuan lejet e punës dhe të qëndrimit, procedurat për shtetësi, thjeshtimi dhe digjitalizimi i procedurave administrative, si dhe përmirësimi i mekanizmave të komunikimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat.
Presidenti i KTTO-së, Orçun Özdemir, theksoi rëndësinë e krijimit të procedurave administrative të orientuara drejt investitorëve, transparente, efikase dhe të parashikueshme. Sipas tij, kjo është veçanërisht e rëndësishme për korporatat dhe kompanitë e mëdha, si dhe për punonjësit e huaj me kualifikime të larta.
Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se tërheqja e investimeve të reja në Kosovë është ndër prioritetet e Qeverisë, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me KTTO-në.
Në përfundim të takimit, palët u pajtuan për vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit institucional, me qëllim që problemet e komunitetit të biznesit të trajtohen drejtpërdrejt me institucionet përkatëse dhe që procedurat për investitorët e huaj të bëhen më të lehta dhe më efikase.
Takimi vlerësohet si një hap në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe komunitetit të biznesit, veçanërisht në funksion të krijimit të një klime më të favorshme për investime të huaja.

























