Në përvjetorin e 28-të të rrëmbimit nga shërbimi sekret serb dhe zhdukjes me dhunë të Heroit të Kosovës, Xhavit Haziri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te shtatorja e tij, në qytetin e Kastriotit.
“Për ta kujtuar jetën dhe nderuar veprën e Xhavit Hazirit, bëmë homazhe pranë shtatores së tij në Obiliq, në përvjetorin e zhdukjes së tij më 17 shtator të vitit 1998. Atë ditë, që ishte e enjte sikur edhe sot, Xhavit Haziri kishte dalur nga shtëpia e tij për të shkuar në zyret e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë ku punonte. Kur po kalonte afër Xhamisë së Llapit, dy zyrtarë të shërbimit të fshehtë të Serbisë, e rrëmbyen dhe e futën në makinën e tyre të markës “Golf” me ngjyrë të bardhë. Dëshmitarët e rastit, kanë deklaruar që kjo makinë lëvizi në drejtim të rrugës ku gjendej Medreseja e Prishtinës. Katër ditë më pas, më 21 shtator, familjarët e raportuan të zhdukur Xhavit Hazirin në media, por ai ka mbetur i zhdukur që nga ajo kohë deri sot”, tha Kurti.
Me origjinë nga Druari i Vushtrrisë, aktivisti Xhavit Haziri (1960) ishte shkolluar në Obiliq, kurse kishte mbaruar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës. Që pas demonstratave të vitit 1981, Xhavit Haziri u angazhua aktivisht në përafrimin dhe bashkimin e organizatave të fshehta politike në Kosovë, periudhë kjo gjatë të cilës, ai vuajti dënim me burg nga viti 1986 deri më 1990. Pas lirimit nga burgu, Xhavit Haziri e vazhdoi aktivitetin e tij politik dhe patriotik në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si një nga pjesëtarët më të shquar të këtyre dy organizatave.
Heroi i Kosovës dhe dëshmori i lirisë së saj, Xhavit Haziri, do të kujtohet për angazhimin e tij patriotik ndër shokë në historinë e betejave të popullit të Kosovës për liri.


























