Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar me nota të larta organizimin e Kampionatit Evropian të Hapur të xhudos në Prishtinë, teksa ka shprehur mirënjohje për garuesit e Kosovës, të cilët fituan katër medalje në këtë ngjarje të rëndësishme sportive, përcjell KosovaPost.
Kreu i qeverisë ka thënë se mbi 40 xhudistë nga 26 shtete të Evropës garuan për medalje dhe lavd para një publiku që i mirëpriti dhe i mbështeti në sallën e Pallatit të Rinisë.
Kosova kishte katër garues, Akilin, Distrian, Norën dhe Dardanin. Së bashku, ata i sollën shtetit tonë katër medalje, një të artë e tri të bronzta, para një publiku që sytë dhe brohoritjet i kishte të gjitha për ta, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Duke qenë ngjarja më e madhe e sportit të xhudos e organizuar ndonjëherë në Kosovë, me sot e dëshmuam se jemi edhe nikoqirë të mirë, përveç se fitues të padiskutueshëm. Prandaj, edhe na takon epiteti: Kosova – Shtet i xhudos”, ka theksuar Kurti.
Ai tutje ka dërguar urimet e tij të përzemërta secilës medaliste dhe secilit medalist, por edhe u ka shprehur mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin e këtij aktiviteti sportiv dhe suksesin e xhudistëve tanë.
“Mirënjohje të veçantë për mjeshtrin Driton Kuka dhe kampionen tonë olimpike, Majlinda Kelmendi që po vazhdojnë të përgatisin e frymëzojnë gjeneratat e reja të sportisteve dhe sportistëve. Përgëzime për organizimin e mrekullueshëm Federatës së Xhudos së Kosovës, e cila u mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata Evropiane e Xhudos. Gëzuar!”, ka nënvizuar Kurti.