Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar Administratën Tatimore të Kosovës, ku janë pritur nga drejtori i përgjithshëm, Mentor Hyseni dhe menaxhmenti i lartë i ATK-së.
Gjatë takimit është diskutuar për rezultatet e ATK-së, rritjen e të hyrave tatimore, përmbushjen e obligimeve tatimore, digjitalizimin e shërbimeve dhe luftimin e evazionit fiskal.
Kurti ka vlerësuar punën e ATK-së, duke veçuar rritjen prej 14 për qind të të hyrave tatimore dhe rritjen e denoncimeve për evazion tatimor prej 43.1 për qind.
Ai ka theksuar edhe ndryshimin e qasjes së ATK-së, nga kontrollet e bazuara në dyshime drejt kontrolleve të bazuara në të dhëna dhe analizë të riskut.
Ndërkaq, ministri Murati ka vlerësuar rolin e ATK-së në stabilitetin financiar të vendit. Ai ka folur edhe për projektin e arkave softuerike digjitale, i cili, sipas tij, synon uljen e evazionit dhe zgjerimin e fiskalizimit në të gjitha veprimtaritë ekonomike.
Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, ka thënë se institucioni po e zhvendos fokusin nga ndërhyrjet e përgjithshme ndëshkuese drejt kontrolleve të targetuara dhe të bazuara në analizën e riskut.
Sipas tij, si rezultat i kësaj qasjeje, numri i gjobave është ulur për rreth 22 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Hyseni ka theksuar se ATK-ja aktualisht ofron 62 shërbime online, duke synuar lehtësimin e përmbushjes së obligimeve tatimore dhe rritjen e transparencës në raport me tatimpaguesit.


























