Në një takim virtual, kryeministri në detyrë Albin Kurti, u tha kongresistëve amerikanë se këtë javë Qeveria ka bërë hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, duke theksuar se qëllimi i saj është të ndihmojë në përmbushjen e synimeve të sigurisë kombëtare, dhe jo si zëvendësim i KFOR-it, transmeton KosovaPost.
Kryeministri në detyrë Kurti zhvilloi një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, të cilët javë më parë paraqitën dy rezoluta të rëndësishme për Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krahas falënderimeve për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë Kurti u shprehi atyre mirënjohje të thellë për Rezolutën nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, dhe Rezolutën nr. 1250, e cila bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se qëndrimi i NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë prioritete kyçe për Qeverinë, duke shtuar se ato janë thelbësore për sigurinë në rajon. Në këtë kontekst ai veçoi thirrjen e kongresistëve që katër shtetet jo-njohëse anëtare të aleancës që ta njohin Republikën e Kosovës, duke ia hapur derën vendit tonë që të anëtarësohet në NATO.
Duke theksuar se do të ishte një rritje e jashtëzakonshme e sigurisë rajonale, por edhe në interesin strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, Kryeministri në detyrë Kurti e ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, që Camp Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane.
Duke përmendur se Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër, Kryeministri në detyrë Kurti tha se bashkëpunimi në këtë fushë ndërmjet dy vendeve është më i fortë se kurrë.
Në fund të bisedës, Kryeministri në detyrë Kurti dhe katër kongresistët u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në përputhje me vlerat e përbashkëta të Kosovës dhe SHBA-së.
































