Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është në komunikim të drejtpërdrejt për çështjen e presidentit me dy kryetarët e partive opozitare, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ai në një konferencë për media ka ripërsëritur qëndrimin se zgjedhjet e reja janë të panevojshme , duke thënë se një krizë institucionale do t’i konvenonte vetëm kundërshtarëve të Kosovës.
“Jam në komunikim të drejtpërdrejt me kryetarët e dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku. Nuk besoj se duhet të kemi destabilitet të mëtutjeshëm institucional në këtë situatë, ku pas marrëveshjes me 90 vota për deklaratën në Kuvend të futemi në rivalitete të ashpra elektorale, nga të cilat nuk besoj se do të përfitonte ndokush përveç kundërshtareve të Kosovës”, ka thënë Kurti në konferencën për media të mërkurën, raporton teve1.info.
Kurti ka thënë se sipas pikëpamjes së LVV-së, kandidati për president mbetet Bekim Sjediu sipas marrëveshjes me LDK-në, duke shtuar se nuk ka emër të ri për momentin.
“E kemi kandidatit nga marrëveshja, është Bekim Sejdiu nga marrëveshja. Bekim Sejdiu është tërhequr ku marrëveshja është braktisur nga 6 deputetë të LDK-së. Ishte një vendim i kushtëzuar nga situata që u krijua. Nga pikëpamja e LVV ne kemi marrëveshje politike dhe unë besoj që duhet ta respektojmë atë. Nuk kemi emër të ri ose tjetër, nëse ky do të jetë rasti në të ardhmen do të njoftoheni”, ka thënë Kurti.


























