Kryeministri i vendit, Albin Kurti në raportimin e tij në Kuvend tha se në Bruksel nuk ka pasur nënshkrim pasi siç tha ai, nuk mund të ketë nënshkrim vetëm nga njëra palë.
Sipas Kurtit, Kosova është për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por që sipas tij, Kosova i ka marrëdhëniet abnormale me Serbinë pasi siç tha ai, Serbia nuk është shtet normal.
“Unë pranoj të nënshkruaj, por pranim i përmbajtjes së tyre dhe i zbatimit të tyre është vetëm nënshkrimi. Mandej nënshkrim nuk ka sepse nuk mund të ketë nënshkrim vetëm njëra palë, nuk ka nënshkrim të një pale, mund të ketë nënshkrim të të dy palëve sepse ne jemi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse do të kishte nënshkrim vetëm të Kosovës kjo i bie që Kosova ka nevojë të normalizohet, Kosova nuk ka nevojë të normalizohet. Kosova është shtet normal, Kosova i ka marrëdhëniet abnormale me Serbinë dhe duhen të dy nënshkrimet. E marrëdhëniet i kemi abnormal me Serbinë sepse Serbia nuk është shtet normal, po unë Serbinë nuk mund ta normalizoj, unë dua të normalizoj marrëdhëniet e ndërkombëtarët e normalizojnë Serbinë”, tha Kurti.