Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre fëmijëve që humbën jetën tragjikisht nga shembja e një shtëpie të pabanueshme në Jabllanicë, përcjell KosovaPost.
Në një postim në ‘Facebook”, Kurti ka shkruar se kjo vdekje e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin e Kosovës.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, ku mbrëmë e humbën jetën tre fëmijë, pas shembjes së një objekti të pabanuar.Në këtë periudhë të rëndë, u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve Mehmeti, Rama dhe Morina, duke u lutur që të gjejnë forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka shkruar se Qeveria e Kosovës është pranë këtyre familjeve në këto ditë të vështira.
“ Kjo vdekje e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin tonë dhe na ka tronditur të gjithëve. Tre djelmoshat u prehshin në paqe”, ka shkruar tutje Kurti.


























