Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevojën për stabilitet institucional.
Kurti ka bërë të ditur se ka pritur në Zyrën e Kryeministrit të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves dhe ambasadorin gjerman Rainer Rudolph. Të tre diplomatët i kanë përcjellë urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.
Gjatë takimeve, sipas Kurtit, është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe me secilin prej vendeve, mundësitë për avancimin e tyre, përparimin demokratik, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe proceset integruese të Kosovës.
“Diskutuam edhe për temat aktuale, me theks nevojën për stabilitet institucional, posaçërisht në rrethanat e krijuara pas 16 shtatorit”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë ndaj Kosovës.


























