Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se mungesa e stabilitetit politik në kohën e shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, i shërben vetëm kundërshtarëve të Kosovës.
“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit ose presidentes së re, pajtohem plotësisht. I kemi vetëm edhe 6 ditë nëse nuk e llogarisim ditën e sotme. Jemi duke numëruar më shpejtësi të poshtme. Është e domosdoshme që të kemi takime të reja. Në njërën anë na duhet strategji shtetërore për të pandehurit në Hagë që padrejtësisht u shpallën fajtorë, dhe në anën tjetër gjithashtu nuk besoj që duhet të kemi destabilitet të mëtutjeshëm institucional në këtë situatë kur me 99 vota për e arritëm një dakordim të përgjithshëm. Dhe tash të hyjmë në rivalitete të ashpra të fushatave zgjedhore nuk besoj që është punë e mençur nga e cila do të përfitonte dikush përveçse kundërshtarëve të Kosovës e të shtetit tonë. Prandaj, duhet të ketë takime dhe unë besoj që do të mund të ulemi, të diskutojmë dhe dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë edhe më tej”, tha ai.
Kurti më tej duke folur për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të iniciuar nga PDK, tha se brenda kësaj jave do të mendim juridik nga zyrat ligjore dhe pastaj do ta procedojnë në Kuvend.
“Kemi një iniciativë ligjore nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo është çështje e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që i është drejtuar Zyrës Ligjore për opinion në Kryeministri. Tash Zyra Ligjore në Kryeministri ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, gjithashtu edhe nga Departamenti për Buxhet në Ministrinë e Financave. Kjo është procedurë e rregullt qysh bëhet me secilën iniciativë ligjore”, tha Kurti.
Kurti: Nuk kam pritur drejtësi nga Specialja, nuk ka transparencë
Kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka pritur asnjëherë drejtësi nga dhomat e Specializuara, duke përmendur tri elemente të cilat i quajti defekte kapitale.
Ai tha se korrigjimi i parë që duhet bërë nga ky institucion është mos t’i qasen UÇK-së si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Së dyti ai tha se kësaj gjykate i ka munguar transparenca dhe është gjykatë monoetnike.
“Ju e dini që zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ishte edhe deputet më herët në Kuvend, si i mbijetuar i masakrës së Dubravës, ka bërë një kallëzim penal në Dhomat e Specializuara në mënyrë që ta trajtojnë edhe çështjen e masakrës së Dubravës, ku janë mbledhur të burgosurit shqiptarë në pranverën e vitit 1999 nga mbarë Serbia dhe janë sjellur në Dubravë të Istogut, ku më pastaj mbi 100 prej tyre janë pushkatuar, janë ekzekutuar nga gardianët serbë. Kjo është gjatë luftës së fundit në Kosovë. Është përbrenda fushëveprimtarisë, është përbrenda mandatit, është përbrenda kohës së Dhomave të Specializuara dhe trajtimeve që ata bëjnë. Dhe që nga prilli i vitit 2023, pra tri vjet e gjysmë, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Dhomat e Specializuara. Ky është karakteri monoetnik bashkë me mungesën e transparencës, janë defekti i dytë kapital”, tha ai.
Së treti ai tha se vendimi është me mijëra faqe dhe shprehu dyshimet e tij nëse është lexuar edhe nga vet ekipi i mbrojtjes.
“Ndoshta është lexuar një përqindje njëshifrore e vendimit të përgjithshëm në rastin më të mirë. Dhe është çështje e javëve besoj kur do të dalë verdikti i plotë. Dhe unë dyshoj që dikush edhe prej ekipeve të mbrojtjes ka arritur që deri më tash ta lexojë në plotëni e me saktësi të gjithë verdiktin, se është shumë me vëllim”, tha ai.


























