Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur lajm të mirë për qytetarët miratimin nga Kuvendi i Kosovës në lexim të parë Ligjin për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale, përcjell KosovaPost.
Kurti ka thënë se mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plot 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publik përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale.
“Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po e rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”, ka thënë Kurti, përmes një postimi në Facebook.