Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar zotime për rritje të pensioneve, shtesa për familjet dhe investime në Han të Elezit.
Kurti ka thënë se, krahas ekonomisë, do të rriten edhe pensionet, ndërsa ka paralajmëruar një mbështetje shtesë për gjyshërit dhe gjyshet që kujdesen për nipër dhe mbesa të moshës 13–36 muaj kur të dy prindërit janë në punë.
“Secila gjyshe apo gjysh pensionist që përkujdeset për mbesa dhe nipa të moshës 13–36 muaj, kur të dy prindërit janë në punë, do të përfitojë 100 euro shtesë në muaj mbi pensionin ekzistues”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar gjithashtu se shtesat për gratë lehona janë rritur në 500 euro, ndërsa gjatë mandatit të ri shtesat për fëmijë do të dyfishohen, nga 30 në 60 euro për deri në dy fëmijë dhe nga 45 në 90 euro për tre e më shumë fëmijë.
Kurti ka premtuar edhe programe mbështetëse për gratë, përfshirë “SuperPunën për Gratë” dhe mbështetje për gratë sipërmarrëse.
Për Hanin e Elezit, ai ka paralajmëruar ndërtimin e çerdhes publike, investime në ujësjellës dhe trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e shtratit të lumit Lepenc si dhe realizimin e rrugës magjistrale Han i Elezit – Gorancë – Glloboçicë.


























