Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar regjisorin kosovar Visar Morina dhe filmin e tij “Shame and Money”.
Përmes një postimi, Kurti ka treguar se të dielën i ka ndarë Morinës çmimin për filmin më të mirë në PriFest, ndërsa të martën, bashkë me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe drejtoreshën e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, e ka pritur regjisorin në Zyrën e Kryeministrit.
Kurti ka shkruar se Morina vjen nga Çikatova e Vjetër e Drenasit, ku gjatë luftës në Kosovë forcat serbe i vranë disa nga familjarët e tij, ndërsa më pas karrierën e tij e zhvilloi në Berlin të Gjermanisë.
Duke folur për filmin “Shame and Money”, Kurti e ka cilësuar atë si një dramë të fortë sociale që trajton jetën e klasës punëtore shqiptare në Kosovë.
Ai ka bërë edhe një krahasim me regjisorët britanikë Ken Loach dhe Mike Leigh, duke thënë se nëse ata do të bashkoheshin për të realizuar një film bashkëkohor për klasën e varfër punëtore shqiptare në Kosovë, rezultati do të ishte filmi i Morinës.
Filmi “Shame and Money” pritet të nisë shfaqjen në Cineplexx nga 25 shtatori.
Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shikojnë filmin.


























