Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, me të cilin ka diskutuar për sigurinë rajonale, arsimin dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar ndërmjet dy vendeve, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi, Kurti ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Hungarisë në Kosovë, duke theksuar rolin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale, veçanërisht përmes kontributit me trupa në kuadër të misionit të KFOR-it.
Ai ka bërë të ditur se është rritur në 75 numri vjetor i bursave Stipendium Hungaricum për studentët nga Kosova, në nivelet bachelor, master dhe doktoraturë.
Sipas Kurtit, qindra studentë nga Kosova kanë studiuar ose po studiojnë në universitetet hungareze.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu interesimin për thellimin e marrëdhënieve me Hungarinë, përmes organizimeve të përbashkëta që synojnë forcimin e lidhjeve të biznesit dhe krijimin e mundësive të reja për investime.


























