Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Myftiu Naim Tërnava dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka viztuar xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë, që të dyja sapo të restauruar, përcjell KosovaPost.
Kurti u uroi muajin e shenjtë të Ramazanit besimtarëv teksa u dëshiroi edhe agjërim të lehtë.
“Të gjithë besimtarëve dhe besimtareve të fesë islame u uroj muajin e Ramazanit, muajin e sakrificës dhe përkushtimit për të tjerët, për ditë të bardha e të paqta, për të gjithë. U dëshiroj agjërim të lehtë dhe një muaj të begatë!”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Marsi i përkujtimeve dhe sakrificës së popullit tonë, i përpjekjeve të pareshtura për çlirim e barazi, bashkë me pranverën, edhe sivjet sjell përjetimin e muajit të agjërimit dhe të ripërtëritjes shpirtërore.
Në prag të Ramazanit, me ministrin Hajrulla, të mirëpritur e shoqëruar nga Myftiu Naim Tërnava vizituam xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë, që të dyja sapo të restauruara profesionalisht dhe aq bukur, e që po hapin dyert përsëri për besimtarët.
Këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim, që në tokë të bëhen vepra të mira. Për mirësi ndaj njëri-tjetrit, e bujari ndaj atyre që kanë më pak. E përgjatë këtij muaji ato do të jenë një mundësi më shumë për të gjetur qetësinë e shpirtit dhe devocionin e zemrës drejt vlerave të besimit, bashkëpunimit, mbrojtjes dhe zhvillimit të paqes.
Të gjithë besimtarëve dhe besimtareve të fesë islame u uroj muajin e Ramazanit, muajin e sakrificës dhe përkushtimit për të tjerët, për ditë të bardha e të paqta, për të gjithë.
U dëshiroj agjërim të lehtë dhe një muaj të begatë!/Arbresh.info/


























