Kurti: Xhudoja model për zhvillimin e sportit kosovar, synimi “Prishtina 2030”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryemjeshtrin Driton Kuka, trajnerët dhe ekipin e xhudos, me të cilët ka diskutuar për sukseset e fundit të sportistëve kosovarë dhe për planet e zhvillimit të sportit në vitet e ardhshme.

 

Në takim, Kurti ka vlerësuar paraqitjen e ekipit të xhudos në Lojërat Mesdhetare në Taranto, ku Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj siguruan medalje të bronzta.

“Pas secilës prej tyre qëndrojnë vite pune, disipline dhe një sistem që ka dëshmuar se rezultatet e mëdha nuk vijnë rastësisht”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, gjatë takimit janë analizuar rezultatet e arritura në Lojërat Mesdhetare dhe është diskutuar për përgatitjet që duhet të bëhen në katër vitet e ardhshme, në prag të organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Kurti ka theksuar se modeli i xhudos duhet të shtrihet edhe në sportet e tjera.

“Xhudoja na ka treguar se çfarë mund të arrijë Kosova kur talenti shoqërohet me punë afatgjatë, profesionalizëm dhe standarde të larta”, është shprehur ai.

Në veçanti, kryeministri në detyrë ka vlerësuar kontributin e kryemjeshtrit Driton Kuka, si dhe të trajnerëve Majlinda Kelmendi dhe Fatos Tabaku.

Kurti ka thënë se objektiv i institucioneve është që suksesi i xhudos të shërbejë si shtysë për ngritjen e standardeve në të gjithë sportin kosovar.

“Synimi ynë është që kultura e rezultateve dhe standardeve të larta të forcohet edhe më tej në të gjithë sportin kosovar”, ka deklaruar ai.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish