Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë të premten, më 11 shtator, seancën konstituive, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, vazhdimi i seancës do të nisë në orën 11:00, në sallën e seancave.
Pika e rendit të ditës për të premten është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Në seancën e djeshme nuk u arrit pajtim mbi mënyrën e votimit të nënkryetarëve, prandaj kryetarja e porsazgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi të shtyjë seancën për të premten.
Lëvizja Vetëvendosje dje tha se nuk do t’i votojë nënkryetarët e propozuar nga PDK dhe LDK, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, ndërsa kreu i saj, Albin Kurti, më pas tha se ka kërkuar takim për këtë çështje me krerët e dy partive tjera, Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku.


























