Kongresisti amerikan George Latimer ka zhvilluar në New York një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku në fokus kanë qenë çështjet e sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Latimer përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për mënyrat se si Shtetet e Bashkuara mund ta mbështesin Kosovën.
“Në New York pata mundësinë të takohem me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara mund ta ndihmojnë vendin e tij në sigurinë dhe sovranitetin e tij”, ka shkruar Latimer.
Kongresisti amerikan e ka përshkruar takimin si produktiv. Në përfundim të tij, ai tha se pranoi një koleksion pullash përkujtimore të dedikuara 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara.
“Ishte një takim produktiv, i cili u përmbyll me dhurimin e një koleksioni pullash përkujtimore të 250-vjetorit, që simbolizojnë festimet e pavarësisë së vendit tonë, ndërkohë që ne mbetemi partnerë në luftën e Kosovës për pavarësinë e saj”, ka shkruar ai.
Takimi në New York vjen në kuadër të kontakteve ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe zyrtarëve amerikanë, me çështjet e sigurisë dhe sovranitetit në qendër të diskutimeve.


























