Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në Shqipëri ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Seanca për masën e sigurisë zgjati më shumë se dy orë, ndërsa Hyseni qëndroi në ambientet e Gjykatës së Posaçme gjatë zhvillimit të procesit. Pas përfundimit të seancës, e pyetur nga mediat, Hyseni nuk dha asnjë deklaratë dhe u largua pa koment.
Hyseni u paraqit në GJKKO e rrethuar nga efektivë dhe avokati i saj, Kastriot Selita. Ish-drejtoresha e SHISH është në masën “arrest në shtëpi” ndërsa ndaj saj rëndojnë akuzat “Përkrahja e autorit të krimit” ; “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Dyshohet se Hyseni i ka vendosur në dispozicion materiale sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t.
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, u vetëdorëzua më 22 shtator pranë Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës. Kthimi i saj dhe dorëzimi te autoritetet e pikës kufitare erdhi pas vendimit nr. 67, datë 21.09.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila miratoi kërkesën e SPAK-ut për caktimin e masave “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, hetimet ndaj Hysenit po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.


























