Sulmuesi belg Romelu Lukaku ka rrëfyer përvojën e tij të fundit te Napoli, duke e cilësuar atë periudhë si një nga momentet më të vështira të karrierës së tij.
Në një intervistë për televizionin belg, Lukaku foli edhe për vendimin për t’u larguar nga klubi italian dhe për aventurën e re te Fenerbahçe.
“Ishte viti më i keq i jetës sime”, deklaroi Lukaku, duke folur për sezonin e fundit te Napoli.
Belgu pretendon se në Itali është vënë në dyshim gjendja e tij fizike, ndërsa hedh poshtë kategorikisht pretendimet se nuk ishte në formë për të luajtur.
“Deklarata se nuk jam në formë është thjesht e rreme. Ndoshta e thanë në Itali për të më bojkotuar. Jam 100% i aftë për të luajtur”, tha ai.
Lukaku nuk dha shumë detaje për arsyet konkrete të largimit nga Napoli, por tha se disa vendime dhe gjëra që kishte dëgjuar e bindën se largimi ishte zgjedhja më e mirë.
“Dëgjova disa gjëra dhe u morën disa vendime… Kaq është. Ishte më mirë për mua të largohesha”, u shpreh sulmuesi belg.
Tani, Lukaku është i fokusuar te aventura e tij në Turqi me Fenerbahçen. Ai ka nënshkruar kontratë për një sezon, me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër, ndërsa synon të qëndrojë në nivel të lartë për disa vite.
“Shpresoj t’i përmbush këto dy vite. Pas kësaj, do të shkoj në shtëpi. Do të jem ende në formë”, tha Lukaku, duke shtuar se dëshiron të vazhdojë të luajë deri në vitin 2030, përfshirë edhe me kombëtaren belge.
Sulmuesi 33-vjeçar beson se mosha nuk është pengesë për të vazhduar karrierën në nivele të larta.
“Ka shumë lojtarë që arrijnë të luajnë futboll deri në moshën 40 vjeç. Është çështje mentaliteti”, deklaroi ai.
Lukaku e sheh Fenerbahçen si një mundësi për të rifituar motivimin dhe për të luftuar për trofe, ndërsa shpreson që klubi turk të jetë pjesë edhe e Champions League.
Ai gjithashtu foli me vlerësim për pritjen që ka marrë në Turqi, duke e cilësuar atë si një përvojë të veçantë.
“Ishte një nga herët e pakta që u befasova vërtet. Ishte fenomenale”, tha Lukaku.
Belgu pranoi se pas rikthimit në stërvitje do t’i duhet kohë për të arritur formën optimale dhe për të fituar vendin në formacion.
“Është një rrugë që duhet ta ndjek. Do të duhet kohë dhe duhet ta fitoj vendin tim. Me moshën, bëhesh më i duruar”, përfundoi Lukaku.
Ai mbrëmë u paraqit në pjesën e dytë në ndeshjen e parë të “play-off”-it në Champions ndaj Lyonit, duke e zëvendësuar sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi./rtk


























