Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka komentuar shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit për të premten në ora 11:00, duke thënë se vendimi lidhet me dy çështje kryesore.
Ajo tha se njëra prej tyre ka të bëjë me deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, i cili gjatë seancës deklaroi se propozimi për nënkryetar të Kuvendit bëhet “në emër të popullit serb”.
Sipas saj, një deklarim i tillë është i papranueshëm dhe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Deklarata e deputetit Simiq në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës që propozimin e bën në emër të popullit serb është e papranueshme dhe bie ndesh me Kushtetutën tonë”, ka deklaruar ajo.
Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së tha se këtë çështje e ka ngritur menjëherë në konsultimet e zhvilluara me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke kërkuar tërheqjen e deklaratës.
Ndërkaq, si çështje të dytë, ajo përmendi propozimet e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, përkatësisht Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.
Sipas saj, shqetësimi i LVV-së lidhet me deklaratat publike të këtyre deputetëve se nuk do të marrin pjesë në votimin për presidentin e Kosovës, gjë që, sipas saj, mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ajo theksoi se për LVV-në është e rëndësishme që procesi institucional të përmbyllet sa më shpejt, përmes konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.
“Për Lëvizjen Vetëvendosje është shumë e rëndësishme që të kemi edhe konstituimin e Kuvendit, edhe zgjedhjen e Qeverisë, por edhe votimin e presidentit në kohën sa më të shkurtër të mundur”, tha ajo.
Sipas saj, ditët në vijim pritet të shfrytëzohen për konsultime dhe diskutime mes subjekteve politike, me synim që të gjendet një zgjidhje dhe të vazhdojë procesi i konstituimit të institucioneve të Kosovës.


























