Ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës pesë vende më lartë në indeksin e fuqisë globale të ushtrive në botë ka qenë veç një nga elementet që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka prezantuar në konferencën e sotme të fundvitit.
“Gjatë këtij viti kemi rekrutuar 627 rekrutë aktiv, ndërkaq që nga fillimi i mandatit kemi rekrutuar 1,836 pjesëtar të rinj, duke dyfishuar pothuajse numrin total të ushtarakëve, me një rritje prej 66,87%”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka thënë se blerja e sistemit të armatimit është rritur prej 28% ku, sipas tij, nga 4 milionë që janë investuar në qeverinë e kaluar, shifra ka arritur 239 milionë investime. Ai ka thënë gjithashtu se shkollimi jashtë vendit është rritur katër herë më shumë, transmeton RTK.
“Në shkollime jashtë vendit, në akademi prestigjioze të vendeve partnere i kemi 62 kandidatë duke ndjekur shkollime të ndryshme. Është investuar në trajnimin e ushtarakëve. Vetëm gjatë vitit 2023 janë trajnuar 580 pjesëtarë të FSK-së, kurse që nga fillimi i mandatit janë trajnuar 3325 ushtarakë në shkolla, kolegje dhe aktivitete të ndryshme trajnuese”, ka deklaruar tutje ministri i Mbrojtjes.
Maqedonci gjatë shpalosjes së të arriturave të vitit që po e lëmë pas ka përmendur edhe faktin që Kosova ka qenë prijëse në “Defender Europe 2023”, ka ndodhur ngritja e pagave, veçmas në gradat e ulta, ku përfshihen ushtarët, detarët e karrierës dhe detarët me gradë.


























