Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Italia është duke përgatitur një dokument që synon zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral ushtarak me Kosovën, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci njoftoi se këtë çështje e ka diskutuar gjatë një bashkëbisedimi me ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it.
Në këtë ceremoni, gjeneralmajori Ozkan Ulutash ia dorëzoi detyrën pasardhësit të tij, gjeneralmajorit Roberto Vergori.
Maqedonci falënderoi Ulutash për shërbimin dhe kontributin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, ndërsa komandantit të ri të KFOR-it i uroi sukses në detyrën e re.
“Vlerësoj lart përkushtimin e KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.
Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuara për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend.


























