Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka publikuar rezultatet e konkursit për ndarjen e mbështetjes financiare për studentet vajza dhe gra të regjistruara për herë të parë në vitin akademik 2025/2026 në programet e fushave të Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM) në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, përcjell KosovaPost.
Pas shqyrtimit të të gjitha aplikimeve nga komisioni përkatës, janë përzgjedhur 599 studente përfituese, të cilat kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në konkurs.
MASh ka publikuar gjithashtu edhe listën e aplikimeve të refuzuara, ku për secilin aplikim janë paraqitur arsyet përkatëse të refuzimit, me qëllim garantimin e transparencës së procesit.
Ministria njofton se të gjitha palët e pakënaqura me rezultatet kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Komisionin për Ankesa në MASh, brenda shtatë (7) ditëve të punës nga data e publikimit të rezultateve, në përputhje me procedurat e përcaktuara në konkurs.
Listat e studenteve përfituese dhe të aplikimeve të refuzuara janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.


























