Mbahen konsultimet politike mes Kosovës dhe Malit të Zi

Në Prishtinë janë zhvilluan konsultimet politike në mes dy ministrive të punëve të jashtme të të dyja vendeve, nën udhëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe sekretarit të Shtetit të Malit të Zi, Milisav Raspopoviq, transmeton KosovaPost.

Sipas njoftimit nga MPJD, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, koordinimin shumëpalësh, bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimet e fundit botërore.

“Fillimisht, zëvendësministri Ahmeti e njoftoi Raspopoviq për progresin e Kosovës në vitet e fundit. Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe u diskutua për marrëveshjet në proces si në fushën e drejtësisë, ekonomisë, infrastrukturës rrugore dhe ajrore me qëllim të thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit shumëpalësh, thuhet se u bisedua për integrimin evropian, përderisa me theks të veçantë u trajtua procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tutje u tha se zhvillimet e fundit rajonale dhe botërore ishin temë tjetër, ku u diskutua për ndikimin e tyre në rajonin e Evropës Juglindore, veçanërisht në aspektin e sigurisë.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika