Në Kosovë po mbahet edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Lojërave dhe Arteve “New Born Kosova 2024”, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Drejtoresha gjenerale e festivalit, Zymrije Grajçevci, tha për Anadolu se këtë edicion festivali është nikoqir i ansambleve nga nëntë shtete të ndryshme si Ukraina, Türkiye, Kroacia, Sllovenia, Lituania, Republika e Çekisë, Meksika, Spanja dhe Rumania.
Festivali, i cili është me natyrë garuese, do të zhvillohet në katër qytete të Kosovës.
Hapja e festivalit ka qenë edhe në dy qytete të tjera. Dita e parë në Komunën e Podujevës, dita e dytë në Deçan, dje ishte në Prizren ku edhe filloi gara zyrtarisht. Sot dhe nesër i kemi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, theksoi Grajçevci.
Ajo tha se për organizim të një festivali të tillë duhet kujdes për akomodimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e secilit detaj për mysafirët.
Gjithsej katër çmime do të ndahen në kuadër të këtij festivali, nga një juri profesioniste me pjesëmarrje ndërkombëtare e cila do të shikojë në detaje paraqitjet e ansambleve nga lëvizjet e tyre koreografike, madje edhe veshjet.
Ky festival organizohet nga Federata Botërore e Kërcimit FIDAF dhe ansambli shtetëror kosovar “Shota”. Çdo vend ka të drejtë të marrë pjesë me 30 deri në 35 anëtarë.
Festivali “New Born Kosova” mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komuna e Prishtinës.


























