290 masa janë shqiptar gjatë 7 muajve të inspektimeve nëpër vendet e punës, me fokus të veçantë në vendet e punës me rrezikshmëri të lartë, pas vdekjes së dhjetëra punëtorëve në Kosovë.
Kështu bëri të ditur Andin Hoti, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, në kuadër të takimit të parë të Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë.
“Në muajin prill, siç edhe ju kemi njoftuar disa herë, ne kemi ndërmarrë masa emergjente për intensifikimin e inspektimeve me fokus të veçantë në vendet e punës me rrezikshmëri të lartë. Në kuadër të veprimtarisë inspektuese, janë ndërmarrë mbi 290 masa për ndalimin e punimeve për shkak të shkeljeve të evidentuara nga 8,608 inspektime të realizuara brenda vetëm 7 muajve”, tha Hoti.
Ai përmendi se janë në proces të rekrutimit për 39 inspektorë të rinj. “Kemi marrë vendime për përdorimin e dronëve, të cilët janë një mjet mbështetës për mbikëqyrjen e kantierëve dhe vendeve me rrezikshmëri të lartë. Përmes këtyre ndryshimeve ne kemi synuar dhe synojmë një dokumentim më të saktë, një transparencë më të madhe dhe edhe reagim më të shpejtë ndaj shkelësve të saj. Njëkohësisht jemi në finalizim të procedurave për rekrutimin e 39 inspektorëve të rinj. Disa prej intervistave veç kanë kaluar, disa të tjera janë në fazën e ritestimit”, ka njoftuar ai.
Hoti tha se janë në përgatitje të një fushate kombëtare për vetëdijesimin për sigurinë dhe shëndetin në punë.
“Ne duam që punëdhënësit në radhë të parë t’i përmbushin detyrimet e tyre konform legjislacionit në fuqi, por edhe punëtorët në Republikën e Kosovës të jenë më shumë të informuar për të drejtat e tyre dhe mënyrën e raportimit të abuzimeve”, tha ministri.


























