Seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit, është zhvilluar me dyer të mbyllura për publikun, pasi në të do të dëgjohet një dëshmitar anonim.
Të akuzuarit Pantiq dhe Zariq po përballen me akuza për krime lufte kundër popullsisë civile në rajonin e Istogut.
Kryetarja e trupit gjykues, Donikë Shala-Abdyli, njoftoi në fillim të seancës se do të dëgjohet dëshmitari anonim me kodin “B1”, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masa mbrojtëse dhe urdhër për anonimitet.
Prokurorja speciale, Florije Salihu-Shamolli, kërkoi që seanca të zhvillohej pa praninë e publikut, duke e arsyetuar kërkesën me ndjeshmërinë e rastit.
“I propozoj Gjykatës që kjo seancë të jetë me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, deklaroi prokurorja Salihu-Shamolli.
Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Millosh Deleviq dhe Dejan Vasiq, nuk kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë, duke ia lënë vendimin trupit gjykues.
Pas kësaj, Gjykata vendosi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Momir Pantiq, ish-kryeshef i Stacionit Policor në Istog, dhe ish-polici Zharko Zariq akuzohen se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, ngjarjet për të cilat akuzohen të pandehurit lidhen me muajin maj të vitit 1999 dhe zhvillimet në Burgun e Dubravës, pas bombardimeve të NATO-s.
Prokuroria pretendon se më 19 maj 1999, pas bombardimeve në Burgun e Dubravës, ku mbetën të vrarë tre të burgosur shqiptarë, Pantiq, në cilësinë e kryeshefit të Stacionit Policor në Istog, së bashku me pjesëtarë të forcave policore serbe, kishte shkuar për të marrë kontrollin e situatës.
Sipas aktakuzës, pasi pushuan bombardimet, pjesëtarë të policisë dhe gardianë hynë në dhomat e të burgosurve dhe ushtruan dhunë ndaj tyre.
“Kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Aktakuza përshkruan edhe ngjarjet e 21 majit 1999, kur, sipas Prokurorisë, në Burgun e Dubravës mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, një ditë më vonë, të burgosurit shqiptarë u mblodhën në fushën e sportit të burgut, ku më pas pjesëtarë të forcave të armatosura dyshohet se hapën zjarr ndaj tyre me armë të ndryshme, ndërsa nga ana tjetër e murit të burgut u hodhën edhe bomba.
Në aktakuzë përshkruhen edhe pretendime për rrëmbimin dhe dhunimin seksual të një civili shqiptar, të identifikuar me pseudonimin “A1”. Po ashtu, përmendet edhe një viktimë tjetër e identifikuar me pseudonimin “B1”, i cili është dëshmitari që po dëgjohet me masa mbrojtëse dhe anonimitet.
Pantiq dhe Zariq, sipas aktakuzës, akuzohen gjithashtu për përfshirje në vrasjen e disa familjeve në Komunën e Istogut.


























