Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Angelo Michele Ristuccian, përcjell KosovaPost.
“Bashkëpunimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me KFOR-in do të vazhdojë edhe më intenzivisht në shërbim të sigurisë së gjithë qytetarëve të vendit pa dallim. Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, sot prita në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia”, ka shkruar Mehaj në ‘Facebook.
Me këtë rast, Mehaj ka falenderuar Gjeneralin Ristuccia për kontributin e KFOR-it në shërbim të sigurisë së vendit dhe gjithë qytetarëve pa dallim.
“Gjithashtu e njoftova edhe për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, proceset zhvillimore aktuale si dhe synimet tona për të ardhmen. Të dy ndamë përshtypjet e larta për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të deritashëm duke shprehur njëherit vullnetin e përbashkët që bashkëpunimi dhe koordinimi ynë dypalësh të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen, në kuadër të mandateve tona respektive”, tha ai.