Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, derisa po raporton në Komisionin kuvendar për siguri, ka folur për sulmet ndaj policisë në veri, ndërsa theksoi ai se sulmet në veri, janë bërë për shkak të shtrirjes së ligjshmërisë në atë pjesë dhe kanë për qëllim destabilizimin e vendit.
Ministri Sveçla ka bërë të ditur se brenda 10 ditësh, policia është sulmuar gjashtë herë.
“Këto veprime janë bërë për shkak të shtrirjes së ligjshmërisë në atë pjesë. Kemi bllokuar disa rrugë të cilat kanë pamundësuar kontrabandat. Si të tilla, këto sulme synojnë të shkaktojnë panik tek qytetarët dhe të destabilizojnë situatën në vend. Kemi rritur aktivitetet hetuese në atë zonë për zbulimin e autorëve të këtyre sulmeve”, është shprehur ministri Sveçla, duke shtuar se angazhimi me sukses i policisë ka bërë që situata të jetë stabile.
Ai ka përgëzuar angazhimin dhe punën e suksesshme të policisë në mbrojtje të ligjshmërisë dhe sigurinë vendit e të qytetarëve.
“Policia po i zbaton detyrat për çka i vlerësoj dhe i përgëzoj shumë. Këto sulme kanë krijuar ndjenjë pasigurie tek qytetarët atje. Angazhimi i suksesshëm i policisë ka bërë që të kemi një situatë stabile. Drejtësia në çdo cep të Kosovës është për të mbrojtur ligjshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve dhe kjo është arritur falë angazhimit të policisë”, tha ministri.