Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka larguar nga tregu shtatë produkte qumështi që nuk kanë deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të MINT-it, IQMT ka vazhduar inspektimet në treg lidhur me produktet e qumështit me bazë bimore, në zbatim të masave të ndërmarra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
MINT ka bërë të ditur se inspektimet janë zhvilluar në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë.
Sipas Ministrisë, gjatë ditës së sotme janë realizuar gjithsej 12 inspektime në markete të ndryshme, ku janë evidentuar produkte të ndaluara për shitje nga AUV-i.
MINT ka njoftuar se nga tregu janë tërhequr produktet: Schmand VITA 18%, 180 g; Schmand VITA 18%, 400 g; Schmand VITA 18%, 800 g; Holla Cooking Cream, 1 L; Holla Barista, 3.8%, 1 L; Mazë tradicionale DRENA, 1 kg dhe Schmand i freskët BYLMETI.
Sipas njoftimit, gjatë ditëve në vijim inspektorët e IQMT-së do të fillojnë shqiptimin e gjobave ndaj operatorëve ekonomikë që ende nuk kanë bërë tërheqjen e produkteve të evidentuara si të papajtueshme me raportin e AUV-it.
MINT ka bërë të ditur se IQMT ka intensifikuar gjithashtu bashkëpunimin me konsumatorët përmes platformës së komunikimit në Viber, në numrin +383 (0) 46 311-000, ku gjatë kësaj periudhe janë pranuar ankesa nga konsumatorë që kanë raportuar se kanë hasur në markete produkte të ndaluara për shitje.
Në fund, Ministria u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e produkteve të përcaktuara nga autoritetet kompetente, duke respektuar vendimet e AUV-it dhe legjislacionin në fuqi.



























