Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për themelimin e Inspektoratit Qendror të Trashëgimisë Kulturore, i cili synon të mundësojë ndërhyrjen në rastet kur trashëgimia kulturore rrezikohet.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se inspektorati i ri do të ketë përgjegjësi për të ndërmarrë masa ndaj ndërhyrjeve të paautorizuara që mund të dëmtojnë trashëgiminë kulturore.
“Inspektorati do të ketë përgjegjësi të ndërhyjë aty ku trashëgimia rrezikohet, të ndalojë punimet e paautorizuara dhe të marrë masa ndaj ndërhyrjeve që e dëmtojnë atë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, duke vënë në pah pasojat që mund të ketë dëmtimi i saj.
“Dëmtimi i trashëgimisë kulturore është dëm për historinë”, ka thënë Kurti.
Projektligji është miratuar nga Qeveria jashtë rendit të ditës, ndërsa detajet e tjera lidhur me funksionimin dhe kompetencat e inspektoratit nuk janë bërë të ditura në deklaratën e publikuar.


























