Komisioni për Zgjedhjen e Ankesave dhe Kontesteve në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS-së), ka marrë një vendim lidhur me konkursin për përzgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, transmeton Kosova Post.
Sipas këtij vendimi, konkursi nuk do të anulohet.
Komisioni në fjalë obligon Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK), që t’i rivlerësojë testet e kandidatëve për pozitën në fjalë.
Njëri prej kandidatëve i cili ka ushtruar të drejtën e ankesës, ka thënë për Kosova Post se, vendimi është i drejtë, por problemi qëndron te fakti se, procesin e vlerësimin do ta bëjë i njëjti këshill.
Kosova Post ka provuar të marr një përgjigje konkrete nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por zyrtarët e kësaj të fundit, nuk kanë gjetur kohë për një gjë të tillë.
Në arsyetimin e vendimit, ndërkaq theksohet se ankesa është marrë parasysh pjesërisht.
“Në procesin e vlerësimit ka munguar njëri nga anëtarët e komisionit… Rrjedhimisht komisi0ni nuk ka pasur të drejtën ligjore të vazhdoj me vlerësimin e testeve” – thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit, duke i bërë me dije palët, që një pjesë e shkeljeve të procedurave të përzgjedhjes, në këtë konkurs, janë konstatuar.
Siç kemi raportuar edhe më parë, procesi i përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik në TKK, është duke u zvarritur qe një kohë të gjatë.
Vendimi i fundit i MKRS-së, përkatësisht Komisionit për Zgjedhjen e Ankesave, ka hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit (me datë: 06. 08. 2021). /KosovaPost/