Përpjekjet e Ministrit Hajrullah Çeku, për t’i “modernizuar” institucionet e kulturës, kanë filluar të shihen me mosbesim. Një ndër institucionet që po ballafaqohet tash e sa kohë me probleme të shumta, është edhe Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK). Shpresa e disa aktorëve rezidentë të TKK-së, ka filluar të mbulohet nga “pluhuri” i skepticizmit. Pyetja retorike: a e ka seriozisht Ministri Çeku me teatrin?, ka filluar të ripërtypet gjithnjë e më shpesh në bisedat e tyre, shkruan Kosova Post.
Ditë më parë në një emision televiziv, Ministri Çeku, ndërsa fliste për nevojën e ndryshimeve të mëdha në strukturën organizative të institucioneve kulturore, ndër të tjera tha që:
“Strukturat që i kanë aktualisht, janë të një kohe tjetër dhe nevoja për t’i modernizuar këto institucione, kërkon që na me pas strukturë të re”. Për më tepër, ai vijoj të argumentonte se pikërisht mënyra e vjetër e organizimit të jetës kulturore në këto institucione, i pengon ato të jenë më të organizuara, më efikase dhe me më shumë audiencë.
Mirëpo artistët pyesin: a duhet të mbesin proceset e emërimit të zyrtarëve të lartë të këtyre institucioneve, peng i ideve për reformim? A pengohen reformat nga proceset e rekrutimit të zyrtarëve të rinj në institucionet e kulturës, si fjala vjen – përzgjedhja e Udhëheqësit Artistik në TKK?
Kur bëhet fjalë për punësimet në TKK, pikërisht konkursi për rekrutimin e Udhëheqësit Artistik të TKK-së, i cili është zvarritur për një kohë të gjatë, më në fund ka shkuar në një fazë tjetër, atë të fillimit të intervistimit të kandidatëve. Më konkretisht, të enjten që e lamë prapa, më datë 08.07.2021, kandidatët iu nënshtruan testit me shkrim. Megjithatë, disa nga kandidatët, në kushte anonimiteti, thanë për Kosova Post se, testi ishte i përpiluar jashtë standardeve të zakonshme dhe se koha e paraparë për përgjigjet e shtruara, ishte e pamjaftueshme. Ata raportuan edhe parregullsi të tjera në kuptimin organizativ, e që, sipas tyre, pritet ta çojnë procesin e përzgjedhjes së Drejtorit Artistik, përsëri drejt një dështimi të radhës.
Kosova Post ka kuptuar se të paktën njëri prej kandidatëve, është ankuar në komisionin përkatës, duke e shprehur publikisht pakënaqësinë për problemet që e kanë karakterizuar procesin.
Luftë artistike apo ligjore ndërmjet “klaneve”?
TKK, prej kohësh, është shndërruar në një arenë përplasjesh ndërmjet aktorëve, regjisorëve e dramaturgëve. Kosova Post para pak javësh raportoi se aktori Naim Berisha, i cili njëkohësisht është edhe Nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, e ka paditur për fyerje dhe shpifje dramaturgun Jeton Neziraj, ish drejtor artistik i TKK-së.
Së fundi Berisha për Kosova Post ka thënë se, edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, e ka miratuar një ankesë të tij, në lidhje me një artikull të publikuar në Kult Plus. Artikulli në fjalë ende figuron si i publikuar në uebin e këtij portali. Të kontaktuar nga Kosova Post, këta të fundit, kanë thënë se nuk janë në dijeni të kësaj ankese.
Megjithatë, arena kryesore e “luftës artistike”, ndërmjet grupeve të artistëve, ka mbetur vetë Teatri Kombëtar. Ato janë përshkallëzuar deri në atë masë sa që, i kanë shfrytëzuar pozicionet zyrtare, për të marrë edhe vendime të padëgjuara.
“Vendim: Me të cilin, i ndalohet personit Sokol Plakolli hyrja në ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës.”; – thotë një vendim i vitit 2015-të. Dokumentin në fjalë, e ka publikuar vetë Plakolli, në llogarinë e tij personale në rrjetin social Facebook.
“Në vazhdën e keqpërdorimeve të pozitës zyrtare, po e publikoi edhe këtë vendim monstruoz të vitit 2015 shekullit 21. Ky vendim i orkestruar nga UDB ashat asnjëherë nuk u shfuqizua” – ka shkruar ai ndër të tjera.
Plakolli, i njohur si një personalitet që për një kohë të gjatë ka ‘notuar kundër rrymës’, ka nxjerr një shesh një varg dokumentesh të tilla, shumë prej të cilave janë cilësuar si absurde nga një pjesë e komunitetit. Ai madje ka kërkuar zgjerimin e hetimeve për disa raste, meqë beson se bëhet fjalë jo vetëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkelje të rregulloreve të brendshme të punës së TKK-së, por edhe për keqpërdorim të fondeve.
Jozyrtarisht mësohet se edhe një shkresë zyrtare ka mbërritur në tavolinën e Ministrit Çeku, nëpërmjet së cilës i është kërkuar anulimi i çmimeve vjetore për teatër. E Ndërkaq ministri, as nuk u ka kthyer përgjigje këtyre zërave, e as nuk ka ndërmarr ndonjë hap konkret në lidhje me të gjitha këto. Jo të paktën deri më sot./Imer Topanica/KosovaPost/