Nënkryetari i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës (ShSTKK), Naim Berisha, e ka paditur për fyerje dhe shpifje dramaturgun Jeton Neziraj, shkruan Kosova Post.
Në padinë e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë thuhet se, Neziraj, nëpërmjet një reagimi publik, ka adresuar fyerje e shpifje jo vetëm në llogari të Berishës, por edhe vetë gjykatës, duke e manipuluar, në këtë mënyrë, edhe opinionin publik.
Në fakt, kjo padi, s’shënjon veçse vazhdimësinë e një konflikti më të vjetër ndërmjet palëve.
“Jeton Neziraj, banues në Prishtinë, me profesion dramaturg, me datë 12.05.2021 rreth orës 22:00, në cilësinë e autorit të një statusi në rrjetin e tij social në facebook, duke ju referuar shkrimit me titull: “S’ka më bakshishe me role për vetën dhe shokët – Gjykata urdhëron TKK-në të hartojë rregullore për ndarjen e roleve”, të botuar në gazetën online kallxo.com, me qëllim që të manipuloi opinionin në lidhje me përmbajtjen e këtij artikulli dhe aktvendimit me numër Cp.nr.1550/20 të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të dëmtoi imazhin e kompromitoi personalitetin tim si figurë publike, ka shpifur kundër të njëjtit aktvendim, e ka fyer Gjykatën duke e quajtur veprimin e saj “ ahmakllek”, si dhe brenda të njëjtit status me ka fyer, nënçmuar dhe etiketuar me shprehjet vulgare specfike “hajvan” dhe “debil” mua Naim Berishën me profesion aktor dhe nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në cilësinë e inicuesit dhe fituesit të këtij rasti në Gjykatë” – thuhet ndër të tjera në dokumentin e padisë.
Në të vërtetë, për këto “fyerje e shpifje”, është raportuar edhe nëpërmjet mediave. Më 12 maj të këtij viti portali për kulturë ‘KultPlus’ në një artikull të titulluar:
“Gjykata Themelore me vendim të ri për TKK-në, Neziraj: Ja, komedia kosovare, njerez, gjykata merr rolin e arbitrit artistik” – e ka publikuar të plotë një reagim të dramaturgut, i cili erdhi si reaksion pas një vendimi të gjykatës. Vendimi në fjalë urdhëron TKK-në (Teatri Kombëtar i Kosovës), që ta zbatojë një vendim të Inspektoriatit të Punës, i vitit 2019. E gjitha filloi si “konflikt” rreth ndarjes së roleve, prandaj vendimi i gjykatë specifikon rregullimin e kësaj çështjeje: “nëpërmjet hartimit të një rregulloreje të brendshme.”
Për më shumë, më 1 qershor, ShSTKK, ka publikuar edhe dëshmi të tjera, ku Neziraj është gjetur në “vepër korruptive”.
I kontaktuar nga Kosova Post, dramaturgu Jeton Neziraj, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje rreth këtyre çështjeve.
Ndërkaq në padinë e dorëzuar në gjykatë, Berisha vë në dukje se:
“Si palë paditëse ju vë në vëmendje, se Jeton Neziraj shprehimisht nuk ma përmend emrin në statusin e tij, por i njëjti, këtij statusi ia bashkangjet linkun e artikullit me titull “S’ka më bakshishe me role për vetën dhe shokët – Gjykata urdhëron TKK-në të hartojë rregullore për ndarjen e roleve”, brenda të cilit përmendet se Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës nëpërmjet meje si përfaqësues i saj, e ka inicuar dhe fituar rastin në Inspektoriatin e Punës dhe Gjykatë, si dhe po në të njëjtën cilësi unë prononcohem brenda të njëjtit artikull rreth aktvendimit në fjalë.”
Po ashtu, aty përmenden edhe disa raste të tjera, ku Neziraj është gjetur fajtor nën akuzën për korrupsion, meqë ka arritur me kohë ta “instalojë klanin e tij në këtë institucion” dhe duke e shpërblyer veten sistematikisht:
“Ju vëmë në dukje, se Jeton Neziraj më herët në vitet 2008 -2011, ka qenë drejtor artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në vitet 2015 -2016 kryetar i Këshillit Drejtues. Ai në këtë kohë kishte arrit ta instaloi klanin e tij në këtë institucion dhe udhëheqje të tij, duke e ruajtur ndikimin dhe shpërblyer vetën sistematikisht me projekte edhe pas përfundimit të këtyre funksioneve dhe largimit të tij nga ky institucion. Në këto projekte, të realizuara në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke shfrytëzuar mungesën e rregullores për mënyrën e ndarjes se roleve, i njëjti në mënyrë sistematike ka keqpërdorur në mënyrë flagrante këtë vakum ligjor, duke i angazhuar në këto projekte familjaret, si dhe njerëzit e kalnit të tij, me qëllim të përfitimit personal për ta atakuar konkurrencën e lirë dhe duke e dëmtuar financiarisht buxhetin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Këtë pretendim e argumenton më se miri fakti se Agjencioni Kundër Korrupcionit, në dy shfaqjet e fundit të tij të realizuara në Teatrin Kombëtar “ Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” dhe “ Kthimi i Karl Mejit”, ka konstatuar konflikt të interesit me rastin e angazhimit të dy aktorëve, të cilët njihen për afërsinë e tyre me të sipërmendurin.”
Sipas burimeve të Kosova Post, hë për hë, shfaqja ‘Kthimi i Karl Mejit’, nuk është duke u dhënë në TKK, pikërisht për shkak të këtyre arsyeve.
Fjala është për të njëjtën shfaqje, e cila më 28 maj u shpërblye me çmimin për regjinë më të mirë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Se ç’epilog do të kenë këto përplasje brenda teatrit, mbetet të shihet, por aktori Berisha, është i treguar i gatshëm të përballet me Nezirajn edhe publikisht./KosovaPost/
_________________________________
*Fragmentet e shkëputura nga padia (dokument të cilin e posedon Kosova Post), janë publikuar pa u redaktuar, ashtu siç figuruar edhe në dokument.