Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër partitë opozitare për mënyrën se si kanë menaxhuar procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se veprimet e tyre vetëm sa i kanë shërbyer kryeministrit Albin Kurti.
Në “Përballje Podcast”, Molliqaj vuri në pikëpyetje strategjinë e opozitës për të negociuar me Kurtin pas zgjedhjeve, në një kohë kur e njëjta e akuzon atë për qasje autoritare.
“Pse me negociu mas zgjedhjeve? Pse, a po mendojnë që ka ndërru Albini? Nëse po thoni që është pushtet autoritar, qysh doni me negociu me të?, deklaroi ai.
Sipas tij, opozita ka bërë gabim që në fillim duke hyrë në negociata për çështjen e presidentit, në vend që ta refuzonte procesin.
Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, Kurti ka synuar një president që i shërben atij politikisht.
“Unë kam besu që partitë opozitare është dashur mos të flasin fare me kryeministrin Kurti për çështjen e presidentit. Ka qenë e qartë që ai don një president i cili i shërben atij edhe më shumë sesa Vjosa Osmani,” tha ai.
Molliqaj theksoi se mënyra se si opozita e ka menaxhuar procesin politik ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin publik.
“Mënyra qysh e kanë menaxhu partitë opozitare vetëm sa ia kanë mundësu Kurtit me u dokë që nuk është fajtori i kësaj krize,” deklaroi ai.
Sipas tij, për shkak të këtij qasjeje, një pjesë e madhe e opinionit publik mund ta fajësojë pikërisht opozitën.
“Ky i ka bind popullin për idenë e vet, e cila për bindjen tonë është ide e rrezikshme”, u shpreh ai.


























