Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe të Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha nga pozitat që mbajnë në qeverinë e Republikës së Kosovës.
Këta dy, sipas saj, me veprimet e tyre, kanë bërë dëme në lidhje me proceset që lidhen me UCK-në.
Musliu ka bërë këto komente gjatë pjesëmarrjes në protestën e sotme në mbështetje të katër ish komandantëve të UCK-së, që dy ditë më parë u dënuan me 81 vjet burgim, në total, nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ajo tha se partia e saj, PDK, i përkrah kërkesat e qytetarëve dhe veteranëve të UÇK-së që u bënë në këtë tubim.
“Vet fakti që ne jemi sot këtu në shesh si parti, do të thotë se i përkrahim kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe veteraneve të UCK-së. Por, si Ganimete Musliu dua të shtoj edhe një kërkesë, përveç Donika Gërvallës duhet të japë dorëheqjeje edhe Dimal Basha, sepse, punimet shkencore të Dimal Bashes janë të dëmshme po aq sa janë të dëmshme edhe mbledhja e dosjeve nga Donika Gërvalla”, ka thënë Musliu.
Ajo i ka bërë thirrje edhe deputetit të LDK-së, Anton Quni, që të tërhiqet nga politika, duke iu referuar një deklarate të tij të mëhershme.
“Përveç kësaj dua që sot përmes jush, t’i bej thirrje Anton Qunit të tërhiqet nga politika. Sepse, nëse ju kujtohet Anton Quni kishte thënë, kur do jenë në burg Hashim Thaci e Kadri veseli unë do e lë politikën. Andaj, Anton nëse je veç pak i përgjegjshëm ndaj kësaj që ke thënë, jep dorëheqje nga politika”, tha Musliu.


























