Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e sotme plenare, ku po debatohet për rritjen e çmimit të rrymës, ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë deri në një afat të pacaktuar.
“Mendoj që është detyrë e deputetëve edhe pse është marrë vendimi me u diskutua ai, ka praktika ku shfuqizohen vendime, bile Qeveria Kurti mburret kur shfuqizon vendime të qeverive të mëparshme. Kisha thënë me i bërë kërkesë qeverisë me e shfuqizuar këtë vendim për një afat të pacaktuar”, ka thënë Haradinaj.
Tutje ka shtuar Haradinaj se beson që ka hapësirë për një vendim të tillë edhe buxhetor edhe planifikues.
Sipas tij, me këtë vendim, ‘viktima’, do të jenë sipërmarrësit.
“Shumë po mendoni që kanë shpëtuar sipërmarrësit në këtë, por jo sepse kur bëhet liberalizimi i tregut ata kanë me u detyruar me marrë cilindo çmim që ia cakton operatori, viktima e radhës janë sipërmarrësit”, tha Haradinaj.