Ushtruesja e detyrës së Presidentes Vjosa Osmani ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së tij, shkruan Kosova Post.
Ajo ishte e shoqëruar me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti.
Osmani përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Rugova na mësoi se si ta duam lirinë dhe se ai na dha shembullin se si ta refuzojmë të keqen.
“Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës, intelektuali i cili e humanizoi politikën dhe i hapi udhë vendit dhe gjithë rajonit që të shkëputej nga ideologjia komuniste e nga regjimi shtypës i Millosheviqit”, ka shkruar Osmani.
Postimi i plotë:
Sot, në 15-vjetorin e ndarjes nga ne, e rikujtojmë presidentin Rugova, njeriun i cili na mësoi se çfarë është liria, se si duhet kërkuar ajo e si duhet ngulur këmbë për të, deri në arritjen e plotë të saj. Ai na mësoi se synimet politike e shtetërore thjesht janë të mundura, nëse ekziston këmbëngulja për to.
Duke na mësuar se si ta duam lirinë, ai na e dha shembullin se si ta refuzojmë të keqen, ideologjinë, dhe ta krijojmë solidaritetin e papërsëritshëm ndërmjet nesh. Me të ne u çliruam përfundimisht nga frika dhe u mbështetëm në besimin e përbashkët duke u bashkuar rreth kauzës së lirisë e pavarësisë.
Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës, intelektuali i cili e humanizoi politikën dhe i hapi udhë vendit dhe gjithë rajonit që të shkëputej nga ideologjia komuniste e nga regjimi shtypës i Millosheviçit.
I përjetshëm kujtimi për të.