Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë mirëpritur raportin më të ri të organizatës Freedom House për lirinë në botë, ku Kosova renditet e treta në listë për përmirësimet e bëra në këtë fushë.
Pas përmirësimit të rezultatit me katër pikë, presidentja Osmani ka thënë se përparimi i Kosovës në indekse ndërkombëtare, është dëshmi e përkushtimit për formimin e demokracisë, përcjell teve1.info “Përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare është një dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur për avancimin dhe forcimin e demokracisë.
Raporti i këtij viti i Freedom House e rendit Kosovën si demokracia e tretë më e përmirësuar në botë në vitin 2022!”, është shprehur ajo në një postim në Twitter.
Teksa, Kurti bën të ditur se janë të përkushtuar për ta avancuar demokracinë. “Sipas raportit të publikuar sot nga Freedom House, Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor, e dyta në Evropë dhe e treta në botë për progresin e bërë në të drejtat politike dhe liritë civile. Përmirësuam rezultatin tonë të përgjithshëm me katër pikë. Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar demokracinë tonë”, ka shkruar ai në Twitter. Në raportin më të ri të organizatës Freedom House për lirinë në bot Kosova vlerësohet me plus 4 pikë për përmirësimin e të drejtave politike dhe të lirive civile.